Ndryshimi i Kodi zgjedhor vetëm me konsensus gjithëpartiak

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet së shpejti të hapet debat për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin parashihen ndryshime në modelin zgjedhor duke aplikuar lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash, që më vonë duhet te jetë një model edhe për zgjedhjet parlamentare.

Deputetët e Lidhjes Demokratike, VMRO-Popullore, Partisë Liberale Demokratike dhe Lidhjes Socialdemokrate kanë dorëzuar propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor, me të cilin, nëse miratohet, Maqedonia e Veriut do të ketë vetëm një njësi zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në vend të gjashtë njësive zgjedhore, ashtu sikur tani që janë zgjedhur deputetët, përcjell Zhurnal.mk

Një tjetër risi është edhe votimi përmes identifikimit biometrik apo përmes gjurmëve të gishtave i njohur si “fingerprint”, eliminon mundësinë e keqpërdorimit të votave, votimin familjar apo votimin për persona të tjerë.

Në Kuvend, tashmë është dorëzuar edhe teksti për furnizimin me pajisjet për gjurmë gishtrinjësh, që do të inkorporohet në propozimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Propozuesit thonë se KSHZ-ja duhet të angazhohet për zbatimin e kësaj forme të re të votimit.

Në lidhje me ndryshimet e lartpërmendura, agjencia e lajmeve Zhurnal, ka kontaktuar Kastriot Rexhepin nga Lëvizja Besa, duke pyetur për qëndrimin partisë së tij.

“Për të gjitha ndryshimet e kodit zgjedhor jashtë propozim ligjit që është në rend dite duhet të ketë konsensus të gjërë të partive politike në kuvend. Mbetet pjesë e debatit çështja për lista të hapura dhe modeleve zgjedhore që duhet të dakordohen në të ardhmen si rezultat i grupeve punuese në të cilin edhe Lëvizja BESA ka deleguar përfaqësues”, tha Rexhepi në prononcimin e tij.

Sa i përket zgjedhjes së kryetarëve të komunave me një rreth, nëse ka fituar 30% të votave, një propozim i VMRO-aë, Rexhepi është i mendimit se nuk është model i përshtatshëm meqë do të kemi kryetar komune të zgjedhur prej një numër i të vogël të votuesve të komunës përkatëse.

Orhan Murtezani, zëdhënës i Alternativës për Zhurnal thotë së koalicion AA-ASH së pari ta shqyrtojnë propozimin dhe më pas do të dalin me qëndrim konkret.

“Ditëve në vijim do ti harmonizojmë qëndrimet njëherë me ASH-në e pastaj do dalim me qëndrim për secilën nga propozimet e përfolura deri tani por edhe do të dalim edhe me propozime të reja. Gjithsesi që këtë çështje do e trajtojmë me seriozitet kur të filloje diskutimi në grupet e punës për ndryshime të kodit zgjedhor.”, bënë të ditur Murtezani për Zhurnal

Kujtojmë se kohë më parë Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, tha se vonesat në miratimin e ndryshimeve kanë të bëjnë me disa dilema nga partitë të caktuara për atë nëse sistemi është i gatshëm për një proces të ndërlikuar zgjedhor.

“Mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me performancën e tërë procesit, gatishmërinë e sistemit për zbatimin e tij dhe ditën e zgjedhjeve që të jemi të sigurt se i gjithë procesi do të jetë i suksesshëm, që të gjithë të jenë të kënaqur dhe askush të mos kontestojë rezultatet”, ka deklaruar ministri Mariçiq.

Ndryshimi i kodit zgjedhore vjen nga rekomandimet e OSBE / ODIHR-së ku parashihen ndryshime në modelin zgjedhor me lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash, që më vonë duhet te jetë një model edhe për zgjedhjet parlamentare.

Ky model, ndonëse në shikim të parë nuk tingëllon keq, kërkon një analizë të mirëfilltë nga subjektet politike shqiptare të cilat rrezikojnë që nga shkaku i antagonizmave të dalin me më shumë kandidatë në Strugë dhe Kërçovë, duke rrezikuar kështu që këto komuna të kalojnë te VMRO ose LSDM nëse dalin me një kandidat të përbashkët.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *