Në javën e katërt të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve të sektorit publik, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, u kyç edhe prof. dr. Xhelal Zejneli, me ligjëratat e tij për teknologjitë e përkthimit.”Përkthimi është një fushë specifike, e përmban mjeshtërinë dhe artin e vet, është veprimtari profesionale të cilën mund ta ushtrojnë vetëm personat me përgatitje universitare përkatëse.”, – thotë prof.dr. Xhelal Zejneli, në njërën nga pushimet e ligjëratave. “Në temën e trajtuar për teknologjinë e përkthimit, kandidatët u njoftuan me të gjitha problemet dhe vështirësitë, me të cilat mund të ballafaqohet një përkthyes gjatë ushtrimit të profesionit të vet. Është një punë tejet komplekse, që nënkupton përgjegjësi të madhe profesionale dhe morale, që kërkon edhe njohuri fushash të ndryshme”, nënvizon ai. Ai përshëndet këtë aktivitet të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, si një ndërmarrje të shkëlqyer që do të rezultojë me rritjen e cilësisë së përkthimit, që do të sensibilizojë opinionin dhe institucionet e shtetit për domosdoshmërinë e zbatimit të shqipes si gjuhë zyrtare në këtë vend. “Mendoj se kjo praktikë e trajnimit nuk duhet të ndërpritet, por duhet të vazhdojë edhe në faza të tjera, gjithmonë në funksion të krijimit të një kuadri sa më profesional”, tha ai, duke nënvizuar edhe punën e deritashme të AZGJ-së.“Drejtorit të AZGJ-së, profesor Ylber Selës, i dëshiroj sukses në punë edhe në aktivitetet e ardhshme. Ai, që në ditën e parë të ardhjes në këtë detyrë të përgjegjshme, ka bërë çmos që ta çojë para punën e kësaj agjencie, gjithmonë në funksion të jetësimit të shqipes si gjuhë zyrtare në vendin tonë” – tha midis tjerash prof. dr. Xhelal Zejneli. Profesor Xhelal Zejneli, pos njohurive të një linguisti, ka edhe përvojën e përkthyesit, të fituar në institucione të ndryshme shtetërore para më shumë se tri dekadash, që është e çmueshme për pjesëmarrësit në këto trajnime.
