Dozat përforcuese të vaksinës kundër Covid -19 do të bëhen të disponueshme gjerësisht për amerikanët duke filluar nga 20 shtatori, thanë të mërkurën zyrtarët amerikanë të shëndetësisë, duke cituar të dhëna që tregojnë zvogëlim të mbrojtjes nga vaksinimet fillestare ndërsa infeksionet rriten nga varianti Delta.
Zyrtarët amerikanë do të ofrojnë një dozë të tretë për amerikanët që u vaksinuan fillimisht me dy doza Covid-19 nga Moderna dhe nga Pfizer të paktën tetë muaj më parë, tha Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në një deklaratë .
“Është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga variantet e reja që mund të shfaqen,” u tha Presidenti amerikan Joe Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Kjo do t’ju bëjë më të sigurt për një kohë më të gjatë. Do të ndihmojë në përfundimin më të shpejtë të kësaj pandemie.”
Qeveria amerikane pret që të japë 100 milionë doza shtesë falas në rreth 80,000 qendra në mbarë vendin, tha Presidenti Biden.