Kristiano Ronaldo po kthehet te Mançester Junajtid për të vazhduar karrierën e tij në klubin britanik, me dëshirën për të qenë përsëri protagonist në “Old Traford”a, aty ku u kthye në një nga emrat më të suksesshëm të futbollit botëror.
Një stadium ku ai mbajti numrin 7, fanellën që kishin veshur para tij disa idhuj për tifozërinë si Kantona e Bekam. Por me këtë rikthim, fanella me numrin 7 mund të mos jetë ajo që do të mbajë.
Numri 7 aktualisht mbahet nga Edinson Kavani, i cili nuk hoqi dorë nga ai numër edhe kur erdhi Xhedon Sanço, duke shtyrë këtë të fundit që të mbante 25-ën. Ndërsa edhe numrat e tjerë të sulmuesve si 9, 10 apo 11 janë të gjithë të zënë te Mançester Junajtid.
Kështu, në Angli që tani ngrihen hipoteza se numri i tij i ardhshëm do të jetë ai 28, që ka mbajtur në vitet e tij të para te Sporting Lisbona, Një lëvizje e ngjashme me Lionel Mesin i cili zgjodhi 30-ën meqë fanella me numrin 10 ishte e zënë nga Nejmar.