Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pati takime të ndara me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Mukhtar Tleuberdi, si dhe me Presidentin e vendit, Kasim Zhomart Tokayev.
Në fokusin e bisedimeve ishin potencialet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, me theks të veçantë në rritjen e shkëmbimit tregtar dhe potencialit investues.
“Marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve krijojnë potenciale shumë më të mëdha për bashkëpunim ekonomik, i cili është një interes i drejtpërdrejtë si i dy Qeverive, ashtu edhe i bizneseve, si dhe i qytetarëve të të dy vendeve. Obligimi ynë është të ndërmarrim veprime për t’u mundësuar bizneseve ta njohin dhe shfrytëzojnë këtë potencial, duke i përdorur të gjitha mundësitë e diplomacisë për t’i arritur këto qëllime,” tha Osmani teksa nënshkroi Planin e Veprimit për Bashkëpunim midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme për periudhën 2021-2023. Përveç planit të veprimit, në takim u nënshkrua edhee Protokoll për shkëmbimin e instrumenteve për ratifikimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kazakistanit për transferimin e të dënuarve.
Gjatë bisedimeve ekonomike, rëndësi e veçantë iu kushtua temës së bashkëpunimit të thelluar rajonal midis rajonit të Evropës Juglindore dhe rajonit të Azisë Qendrore. Duke pasur parasysh strukturën gjeografike, infrastrukturore dhe politike, bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për ta rritur bashkëpunimin e përgjithshëm midis Shkupit dhe Nur Sultanit, si qendra kryesore potenciale për vendosjen e bashkëpunimit më të thellë midis dy rajoneve, si interes i drejtpërdrejtë për të dy vendet dhe të dy rajonet.