Kush është Osman Kavala që po i shkakton kokëçarje presidentit turk?

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kërcënoi se do të dëbojë ambasadorët e dhjetë vendeve, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Reagimi i Erdoganit vjen pasi këto vende i bënë thirrje Turqisë që të lirojë kundërshtarin e supozuar të tij, Osman Kavalës.

Kanadaja, Franca, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të hënën bënë thirrje për një “zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes” të Osman Kavalas, botuesi që gjendet në burg tash e katër vite duke pritur të nis procesi gjyqësor, transmeton Telegrafi.

Kush është Osman Kavala?

Osman Kavala është i lindur më 2 tetor të vitit 1957. Ai është biznesmen, aktivist, filantrop dhe i burgosur politik turk. Kavala ka mbështetur organizata të shumta të shoqërisë civile që nga fillimi i viteve 1990.

Ai është themeluesi dhe kryetar i bordit të drejtorëve të Anadolu Kultur, një organizatë jofitimprurëse e artit dhe kulturës me qendër në Stamboll. Në vitin 2019, mori Çmimin e 21-të të Trashëgimisë Arkeologjike Evropiane nga Shoqata Evropiane e Arkeologëve për përpjekjet në mbrojtje dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore të rrezikuar në Turqi.

Në vitin 2019, ai mori gjithashtu çmimin e 17-të Ayşenur Zarakolu për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes nga Shoqatat për të Drejtat e Njeriut.

Rrjedh nga një familje tregtarësh të duhanit. Familja e tij u shpërngul nga Greqia Veriore në Turqi gjatë shkëmbimit të popullsisë në vitin 1923 midis Greqisë dhe Turqisë.

Kavala ndoqi Kolegjin Robert në Stamboll. Ai studioi menaxhment në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara dhe ekonomi në Universitetin e Manchesterit në Mbretërinë e Bashkuar. Ai filloi një program doktorature në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në New York, por u kthye në Stamboll kur babai i tij vdiq në vitin 1982.

Pse është në burg Kavala?

Më 18 tetor të vitit 2017, Osman Kavala u arrestua në Aeroportin Ataturk të Stambollit pas vizitës në Gaziantep për një projekt të përbashkët me Institutin Goethe. Më 25 tetor të vitit 2017, gazeta Daily Sabah, e afërt me qeverinë e Erdoganit, e akuzoi atë se ishte një “manjat biznesi me një sfond të errët” dhe kishte kontakte me “Grupin Terrorist Gylenist” (FETÖ).

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *