Ndeshja me Anglinë, Cikalleshi dhe Roshi: Shkojmë për një rezultat pozitiv

Kombëtarja jonë vazhdon të jetë e grumbulluar në kuadër të ndeshjeve të fundit të kualifikueseve të Botërorit, Katar 2022, fillimisht përballë Anglisë dhe më pas ndaj Andorras.

Ditën e sotme në konferencë për shtyp doli sulmuesi Cikelleshi dhe anësori Roshi të cilët u shprehën se do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv në “Wembley”.

Pyetjeve të gazetarëve fillimisht iu përgjigj Sokol Cikalleshi:

Vend titullari në ndeshjen ndaj Anglisë? – Ndihem mirë, jam në formë. Kam shënuar në kampionat me ekipin. Nëse do të jem në fushën e lojës, uroj që forma e mirë që kam ta ndihmojë ekipin në një rezultat sa më pozitiv dhe të shikojmë në fushë nëse do të arrijmë të bëjmë atë çka ne mund të bëjmë të gjithë si grup duke luftuar dhe duke qenë të gjithë bashkë, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë, por edhe e bukur për t’u luajtur. Jemi gati!

Dyshe perfekte me Uzunin? – Të them të drejtën, nuk mund të them dyshe perfekte pasi kohët e fundit në sulm kanë luajtur shumë lojtarë të tjerë. Nuk është dyshe stabile. Të shikojmë vendimin që do të marrë trajneri. Më vjen mirë që kam shënuar edhe unë edhe Uzuni. Jo vetëm kemi shënuar, por kemi luajtur të gjithë, unë Uzuni, Balaj, Roshi. Jemi të gjithë në formë dhe nuk besoj se do të jetë shumë e rëndësishme kush do të jetë në fushë, por më e rëndësishme është të nxjerrim më të mirën tonë. Uroj që të bëjmë diçka pozitive.

Reja? – Jam ndjerë shumë mirë me trajnerin Reja dhe kam shënuar. Edhe në aspektin e ekipit dhe duke parë edhe performancën e ekipit, vitet kur ka qenë Reja në krye, kemi kaluar nga epoka De Biasi me një futboll më shumë difensiv, tek epoka Reja ku topin e mbajmë më shumë ne. Kemi raste, luajmë futboll ofensiv. Për ekipe si Shqipëria kjo nuk është pak. Besoj që nuk jemi ende aty ku duhet dhe mungon pak rifinitura e fundit që ne mund të na çonte në Botëror, detajet e vogla pra. Do të uroja që trajneri Reja të vazhdonte në krye, pse jo dhe duke u mbështetur edhe tek eksperienca e tij, besoj do ta ndihmonte ekipin të arrinte edhe atë pak që i ka ngelur, për të bërë atë kapërcimin që ne duam të gjithë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *