Gjermania dhe Bullgaria kanë regjistruar shifra rekorde të infektimit me koronavirus, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për një valë të përhapjes së madhe të variantit Omicron në gjithë kontinentin evropian.
Autoritetet gjermane kanë raportuar më 12 janar për 80,430 raste të reja me koronavirus – njëherësh rekord ditor, prej shpërthimit të pandemisë.
Shifra totale e rasteve të infektimit në Gjermani tani ka arritur në 7,661,811.
Më 12 janar është raportuar për 384 raste, dhe totali i viktimave tani është 114,735.
Të dhënat e Institutit Robert Koch në Gjermani tregojnë se rreth 75 për qind e popullsisë prej 83 milionë banorëve, ka të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.
Në Evropën juglindore, Bullgaria ka shënuar një rekord prej 7,062 rastesh të reja më 12 janar.
Numri i të infektuarve është rritur në javët e fundit dhe ka tejkaluar pikun e tetorit të vitit të kaluar.
Bullgaria përbën shtetin me popullatën më pak të vaksinuar kundër koronavirusit në Bashkimin Evropian.
Sipas autoriteteve të këtij shteti, rreth 28 për qind e popullsisë me 6.9 milionë banorë, është vaksinuar plotësisht.