Për gjendjen me pandeminë të enjten u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme. Derisa opozita kërkonte rishqyrtimin e masave, pozita theksoi se janë në përputhje me gjendjen aktuale, raporton Telegrafi.
Nuk miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave anti-COVID
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rekomandimet e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19. Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.
Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.
“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19″.