VMRO DPMNE insiston në ndryshimin e ligjit për Qeveri, përmes së cilit kërkohet shfuqizimi i Qeverisë teknike.
“Me këtë propozim ligji, parashikojmë dhe kërkojmë heqje të dispozitave të ligjit për mënyrën e zgjedhjes së qeverisë që parasheh që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të zgjidhet qeveria e re kalimtare”, deklaroi më 24 janar Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi është i gatshëm që ndryshimet t’i vendos në seancë, por kushti është që të nënshkruhen 4 partitë më të mëdha politike, ashtu edhe siç ishte nënshkruar marrëveshja për fuqizimin e këtij ligji.
Por a do të arrijë partia e Mickoskit të mbledh nënshkrimet e duhura.
“Këtë çështje e elaboruam, e kemi mbështetur dhe ka qenë në dakordësi në mes nesh dhe LSDM-së para zgjedhjeve të vitit 2020 dhe më vije mirë që edhe VMRO-DPMNE i bashkëngjitet kësaj nisme tonë të cilën ne kemi nënshkruar në marrëveshje të koalicionit mes nesh dhe LSDM. Kjo nuk e cenon idenë për kryeministrin shqiptar për arsye se marrëveshjen e kemi pasur pa Qeveri Teknike, me kryeministër politik shqiptar”, tha më 29 janar, Artan Grubi nga BDI.
BDI dhe LSDM janë të gatshme për ta shfuqizuar ligjin për Qeveri Teknike, por është ASH ajo e cila nuk do të nënshkruhet në këtë iniciativë.
Sipas tyre, Qeveria teknike nuk e ka arritur qëllimin e saj për të cilin u soll, prandaj, siç shtojnë, duhet të mbesë.
“Ne si ASH jemi kundër këtij propozimi, sepse me këtë propozim synohet goditja e marrëveshjes së Përzhinës. Kjo marrëveshje u soll me qëllim të zgjidhjes së krizës politike dhe ne mendojmë se kjo marrëveshje nuk e ka arritur qëllimin e saj për të cilin u soll marrëveshja. E dimë se qëllimi ishte një dhe vetëm një çkapja e shtetit nga ana e pushtetit. Pamundësimi i pushtetit që të shfrytëzoj shtetin për nevoja elektorale. Ky ishte qëllimi. Tani kemi një pyetje publike. A janë arritur këto qëllime bazë të kësaj marrëveshje në momentin që po flasim. Konstatimi është që nuk janë arritur”, tha Halil Snopçe nga ASh.
VMRO DPMNE përveç shfuqizimit të Qeverise Teknike ka edhe kërkesa tjera. Të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski do që të zvogëlohet edhe numri i deputetëve në kuvend, nga 120 në 90.
Por nga LSDM akuzuan VMRO DPMNE-në se nuk po punon asgjë dhe se vazhdimisht ka kërkesa ta njëjta.
“Jemi dëshmitar të propozimeve të njëjta që vijnë tërë kohës nga ana e VNRO-DPMNE-së. Qëndrimi jonë është i qartë dhe i saktë. Për të gjitha këto çështje duhet të këtë debat në prizmin e një konsensusi serioz të të gjitha partive politike për të marrë vendim për të gjitha këto çështje”, u shpreh Darko Kaeski nga LSDM.
Ndryshe edhe partia e Selës, ASH, kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga se siç thonë kjo Qeveri nuk ka legjitimitet, por nga LSDM thonë se zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe do të mbahen në fund të mandatit, pas 2 vjet e gjysmë./tv21.tv