Danimarka shteti i parë që heq te gjitha kufizimet e Covid

Danimarka të martën bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq të gjitha kufizimet e saj për Covid-19, pavarësisht numrit rekord të rasteve, duke u mbështetur në shkallën e lartë të vaksinimit për të përballuar variantin më të butë Omicron.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pas një përpjekjeje të parë për të hequr të gjitha kufizimet e tij midis shtatorit dhe nëntorit, vendi skandinav po heq sërish maskat e fytyrës, lejet për Covid-19 dhe orët e kufizuara të hapjes për baret dhe restorantet.

“Jam shumë e lumtur që e gjithë kjo do të përfundojë nesër. Është mirë për jetën në qytet, për jetën e natës, vetëm për të qenë në gjendje të jem më gjatë jashtë”, tha studentja 17-vjeçare Thea Skovgaard për AFP një ditë më parë.

Klubet e natës rihapen të martën, kur kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në tubime të brendshme gjithashtu marrin fund.

Megjithatë, disa kufizime mbeten në fuqi në kufijtë e vendit, për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga vendet jashtë Shengenit.

Lehtësimi vjen pasi Danimarka regjistron rreth 40,000-50,000 raste të reja me Covid-19 në ditë, ose pothuajse një për qind e 5.8 milionë banorëve të vendit.

“Ne kemi një mbulim jashtëzakonisht të lartë të të rriturve të vaksinuar me tri doza”, i ka thënë AFP-së, epidemiologia Lone Simonsen nga Universiteti i Roskilde.

Më shumë se 60 për qind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë – një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore – krahasuar me një mesatare të BE-së prej pak më pak se 45 për qind.

Përfshirë ata që kanë pasur së fundmi Covid-19, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se 80 për qind e popullsisë është e mbrojtur nga format e rënda të sëmundjes.

“Meqenëse Omicron nuk është një sëmundje e rëndë për të vaksinuarit, ne besojmë se është e arsyeshme të hiqen kufizimet”, tha Simonsen.

Dy vjet pas shpërthimit të Covid-19, strategjia daneze gëzon mbështetje të gjerë në vend.

Në një sondazh të publikuar të hënën nga e përditshmja Politiken, 64 për qind e danezëve të anketuar thanë se kishin besim në politikën e qeverisë për Covid-in.

Megjithatë, duke shkuar përpara, danezëve u kërkohet të ushtrojnë përgjegjësi personale, tha Simonsen.

Danezët kanë përdorur gjithnjë e më shumë teste në shtëpi për të zbuluar infeksionin, por këto tani po hiqen gradualisht dhe në vend të kësaj, kushdo me simptoma këshillohet të qëndrojë në shtëpi.

Autoriteti Shëndetësor Danez aktualisht “rekomandon” ata që rezultojnë pozitivë të izolohen për katër ditë, ndërsa rastet e kontaktit nuk kanë më nevojë të karantinohen.

Veç kësaj, për vizitat në spital rekomandohen edhe maskat e fytyrës dhe karta e Covid.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *