Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti me rastin e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare të vendit me Bashkimin Evropian në Bruksel, ka uruar të gjithë qytetarët për këtë moment shumë të rëndësishëm që shënon zhbllokimin e procesit të eurointegrimit.
Sipas Ahmetit, Evropa është shtëpia jonë dhe siç shtoi, “nuk kishim zgjidhje tjetër pavarësisht pengesave nëpër të cilat kemi kaluar”.
Po fillojmë një kapitull të ri. Gjithmonë kemi dëshmuar se bashkë mund t’ia dalim ndaj çdo sfide, thekson ai.
“Këto 20 vite, treguam se dimë të udhëheqim dhe drejtojmë procese madhore për të mirën e të gjithë qytetarëve, me përkrahje të madhe nga aleatët tanë ndërkombëtar e në veçanti nga Brukseli dhe Uashingtoni”, u shpreh Ahmeti.
Me vendime të guximshme dhe të mençura, shton ai mes tjerash, zgjidhëm sfida që të gjithëve ju dukeshin si mision i pamundur dhe mbyllëm çështjet e hapura dypalëshe.
“Në të njëjtën kohë, nuk devijuam në asnjë rast nga kursi evropian, nga reformat dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal. Mbetemi të përkushtuar në zbatimin e proceseve reformuese dhe marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Ahmeti.