
Shaban SINANI
Në organizim të Shoqatës Vllaznimi, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare dhe Bashkinë e Durrësit nga data 25 qershor e deri më 5 korrik mbahet edicioni i 20-të jubilar Turneu Ndërkombëtar i futbollit për grup-moshat e reja “Vllaznimi Cup 2025” ku pritet të marrin pjesë ekipe nga rajoni dhe disa vende evropiane . Turneu “Vllaznimi Cup 2025” edhe kësaj radhe mbahet me moton ‘TË NDRYSHËM, POR TË BARABARTË’, këtë e deklaroi Idriz Gashi – President i Asociacionit Vllaznimi:
“Shoqata Vllaznimi si çdo vit bën organizimin e turneut “Vllaznimi Cup 2025”. Shoqata Vllaznimi në bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Bashkia Durrës, po merr të gjitha masat sepse sivjet ne kemi edhe 20 vjetorin e turneut dhe ky organizim do të jetë më i veçantë nga të gjitha organizimet e tjera”, deklaroi Idriz Gashi.
Në krahasim të edicioneve të mëparshme, kësaj radhe pritet pjesëmarrje e shumë ekipeve pos nga vendet e rajonit edhe nga Italia, Zvicra dhe disa vendeve tjera
“Të veçanta ka shumë gjëra, por kryesorja është pjesëmarrja e shumë ekipeve në këtë turne, nga Italia, Greqia, Turqia, presim edhe një ekip nga Zvicra, nga Bazeli. Kështu që përveç ekipeve nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, kemi edhe ekipe nga shtete të tjera, do të jetë një aktivitet shumë i bukur dhe të gjithë fëmijët që do marrin pjesë, trajnerët, drejtuesit e ekipeve, do të jenë shumë të kënaqur” tha organizatori Gashi.
Organizatori i këtij manifestim sportiv Idriz Gashi tha se të gjitha ekipet do të akomodohen në hotele në afërsi të plazheve
“Janë marrë të gjitha masat për akomodimin e ekipeve, hotelet që janë buzë detit, fëmijët përveç akomodimit në hotel e kanë edhe plazhin afër, plus ndeshjet e futbollit që do të zhvillohen tek anekset e stadiumit Niko Dovana, anekse mjaftë të mira me të gjitha kushtet, si dhe shëtitje në pikat turistike të qytetit të Durrësit, Krujës dhe Tiranës” tha Gashi .
Për në fund organizatori bëri apel që ekipet interesuar të regjistrohen sa më parë meqë interesimi është i jashtë zakonshëm
‘’Interesimi është i jashtëzakonshëm për regjistrimet, kanë filluar, dhe i ftojmë të gjitha ekipet me një slogan të vetëm ‘TË NDRYSHËM, POR TË BARABARTË’, ju mirëpresim,” tha Idriz Gashi
Turneu ndërkombëtar i futbollit për grup-moshat e reja “Vllaznimi Cup 2025” është spektakolar, pasi qyteti i Durrësit për këto 10 ditë aq sa do të zgjasë ky turne është kryeqyteti i fëmijëve nga gjithë Ballkani, me moton ‘‘Të ndryshëm por të barabartë”. Të gjitha skuadrat që do marinë pjesë në edicionin e 20-të, pos aktiviteteve sportive, ata do të marinë pjesë edhe në aktivitete tjera kulturore -sportive.