
Qendra e Komunitetit Shqiptar në Texas, ishte organizatore e një ngjarjeje të veçantë për të gjithë dashamirësit e poezisë dhe kulturës shqiptare. Manifestim letrar për promovimin e librit “Udhë dashurie”-“Love Journey” të autores Sadije Aliti. Bashkërisht e shënuan këtë arritje të autores, botimin më të ri të librit me poezi në dy gjuhë shqip dhe anglisht.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Shqiptar Amerikan në Texas, Visar Visoka theksoi: “Faleminderojmë poeten Sadije Aliti që na mblodhi këtu e na bëri bashkë në këtë aktivitet kulturo-letrar, është nder që je në mesin tonë faleminderoj edhe anëtarët e bordit të cilët çdo herë me mundin dhe kontributin e tyre janë të gatshëm, janë pranë komunitetit për çdo organizim, faleminderoj edhe familjen Ceka, zotëri Brunon, Nexhatin, Sheron e Hatixhen që e sollën poeten në mesin tonë”.

“Ky eveniment është shumë i rëndësishëm, i dëshiroj mirëseardhje poetes nga trojet tona, librat e botuar flasin për punën dhe mundin e dhënë, e përkthyer në disa gjuhë, unë si njeri që e dua kombin tim, flamurin tim e faleminderoj për pjesëmarrje, por ju faleminderoj edhe juve të pranishmit për praninë tuaj”- tha mes tjerash veprimtari i palodhshëm për çështjen shqiptare Bruno Ceka.
Aktiviteti me shumë elegancë u moderua nga Ingli Laci, i cili njëherë lexoi edhe biografinë e autores.

Dhuratë emocionale të vargjeve poetike të këtyre poezive kaq të bukura të sjellura me lexim në gjuhën angleze para të pranishmëve sollën Fleta e Era Zeqaj. Gjithmonë është thënë se poezisë, princeshës së artit, i ka hije edhe jehona e muzikës, me dashamirësi dhe ëmbëlsinë e tingujve interpretimi i poezive u shoqërua në piano nga maestro Mario Rapaj, përgjegjësisë së instrumentit, i cili i lejon pianistit të prodhojë nota me dinamikë të ndryshme, të prodhojë tinguj të bukur dhe mbresëlënës.
Sadije Aliti, në fjalën e rastit faleminderoi me shumë dashamirësi të pranishmit dhe Kryesinë dhe anëtarët e Komitetit për një organizim të shkëlqyeshëm të promovimit. “Kënaqësi e veçantë është që gjendem këtu në Dallas në mes të shqiptarëve nga e gjithë gjeografia shqiptare, është edhe një sukses i krijimtarisë artistike që të realizoj një takim me mërgatën shqiptare këtu, me nxënësit e shkollës shqipe dhe mësimdhënësit, se gjuha shqipe e flamuri janë ato që po na mbajnë bashkë ndër shekuj, uroj që trashëgimia shqipe këtu të jetojë sa vetë jeta”.
Qendra e Komunitetit Shqiptar në Texas, AACC TX poeten Aliti e nderoi me një mirënjohje për kontributin e dhënë në pasurimin kulturës dhe letërsisë shqipe. Imagjinata krijuese e poeteshës Sadije Aliti le të rrugëtojë në rrugëtimin e gjatë krijues edhe në vepra tjera, imagjinata qoftë çdo herë e mbushur edhe me frymëzime të reja e të shumta.

