Shkolla ndërkombëtare “Maarif” këtë fundjavë ka organizuar lojërat ndërkombëtare në sport ku kanë marrë pjesë nxënës nga tetë shtete.
“Sporti bashkon, arsimi udhëheq!
Me një mesazh për bashkëpunim dhe ndarje të vlerave të mirëfillta, lojërat e dyta tradicionale Sportive Evropiane dhe Ballkanike, të organizuara me pjesëmarrjen e tetë shkollave “Maarif” nga vendet e Ballkanit dhe të tjera vendeve evropiane, u mbajtën këtë fundjavë në kampusin e shkollës në Tetovë.
Rreth njëqind sportistë të rinj – nxënës nga tetë shtete: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania, Belgjika, Franca, Austria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut – garuan me 17 dhe 18 maj në disa disiplina sportive.
Turneu u hap nga z. Ali Çiçek, anëtar i Bordit Drejtues të Fondacionit Turk “Maarif”, i cili, së bashku me z. Osman Demirgül, përfaqësues i fondacionit për Maqedoninë e Veriut, theksuan se përmes sportit pjesëmarrësit forcojnë lidhjet e miqësisë dhe vëllazërisë në kuadër të sistemit të “Shkollave Ndërkombëtare Maarif”.
Gjatë aktivitetit u zhvilluan ndeshje sportive në futball, pingpong dhe gjuajtje me hark. Pa dyshim, fituesit më të mëdhenj ishin shoqërimi, respekti i ndërsjellë dhe fryma e pastër sportive që i karakterizoi nxënësit pjesëmarrës.
Duke ndërtuar së bashku frymën e miqësisë, pjesëmarrësit përjetuan një përvojë të paharrueshme, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë kulturor, duke përçuar në fund mesazhin e qartë:
“Sporti bashkon, arsimi udhëheq!”, theksojnë nga Shkolla Ndërkombëtare “Maarif”.
