
Mbrojtësi Klisman Cake, ka zgjatur kontratën me klubin për një sezon tjetër, duke vendosur të qëndrojë në Tetovë deri në verën e vitit 2026.
Futbollisti me vlerën më të lartë në elitën vendore sipas transfermarkt.de, ka firmosur marrëveshje të re me drejtuesit kuqezi, duke hedhur poshtë çdo zë për largim. Edhe pse kishte oferta të shumta nga jashtë, lideri i mbrojtjes vendosi të vazhdojë rrugëtimin me Shkëndijën, aty ku është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të ekipit.
“Vite më parë erdha këtu me një qëllim, të shpallesha kampion. Dhe e arritëm! Kishte sfida, por kurrë nuk mungoi besimi. Kjo fanellë, ky qytet, janë më shumë se një stacion karriere. Kam oferta shumë të favorshme, të cilat shumë lojtarë do t’i ëndërronin, por kësaj here zgjidhjen e bëri zemra. Vendosa të vazhdoj, sepse kemi një mision për të arritur”, shprehet Cake pasi zyrtarizoi vazhdimin e bashkëpunimit me kuqezinjtë.
I ardhur në janar të vitit 2022, tiranasi i lindur në Pogradec e kishte kontratën aktuale të vlefshme deri më 30 qershor 2025, por me marrëveshjen e re, bashkëpunimi zgjatet edhe për një vit tjetër, deri në fund të sezonit 2025/26.