Tani për tani nuk do të vendoset si kusht vaksinimi gjatë hyrjes në vendin tonë, por do të bisedohet, sepse nuk përjashtohen edhe masa shtesë, ka paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Do të bisedojmë. Ky është një hap me të cilin duam të nxisim fillimisht vaksinimin, dhe më pas të gjitha tubimet si në të mbyllur dhe në të hapur do t’i bëjmë në mënyrë shtesë më të sigurta, sepse vetëm të vaksinuar do të jemi të mbrojtur. Do të shohim se si do të jenë të dhënat. Mund të sjellim edhe masa shtesë javëve në vijim. Diçka që tashmë është e dukshme dhe e pranishme te të gjitha shtetet, është se të gjitha shtetet zgjidhjen e shohin te vaksinimi”, tha Filipçe në Manastir, transmeton TV21.
Ka sjellë si shembull shtetet të cilat e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për administratën publike, ndërkaq si kusht në kufijtë e tyre e kanë vënë edhe certifikatën e vaksinimit.
Ndërkaq ka sqaruar, se janë ndaluar vetëm dasmat dhe gazmendet, ndërkaq në çdo objektet tjetër, përfshirë këtu klubet e natës, hotelet, kafenetë dhe restorantet do të kërkohet certifikatë për vaksinim.
“Në hyrje të të gjitha ngjarjeve si në të mbyllur dhe në të hapur duhet të tregohet certifikata e vaksinimit të më së paku një doze. E vetmja që është ndaluar janë gazmendet dhe dasmat në të mbyllur. Gjithçka tjetër sipas protokolleve, si në të mbyllur dhe në të hapur mund të realizohet. Pse në dasma? Sepse në dasma vështirë kihet kujdes. Shërbimet e radarit janë diçka që do të vendosen në çdo objekt dhe ngjarje, kurse Inspekorati do të kryejë gjithashtu kontrolle”
Ka ngritur alarmin edhe për përkeqësim të situatës, pasi siç tha, rritja e rasteve pozitive është duke u zhvilluar me një dinamikë të përshpejtuar dhe ka paralajmëruar se do të hapen qendra covid.
Ndërkaq për masat që do të hyjnë në fuqi më 16 gusht, kanë pësuar ndryshime. Përveç certifikatës së vaksinimit për dozën e parë, hyrja në objekte do të lejohet edhe me vërtetim se kemi kaluar koronavirusin në 45 ditët e fundit.