Qeveria në seancën e fundit ka ndarë mbi 10,8 milionë euro shtesë për tejkalimin e krizës energjetike.
“Në përputhje me Ligjin për ekzekutimin e buxhetit 2022, u soll program për zhvillim të gjelbër me të cilin u konfirmuan 670 milionë denarë shtesë për realizim të projekteve në fushën e energjetikës, për prodhimin dhe sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme të energjisë për tejkalim të krizës energjetike“, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Po nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se edhe në kohë krize, pushteti nuk i ndahet luksit, në kurriz të qytetarëve.
“Maqedonia nuk ka rrymë, Maqedonia nuk ka gaz, Maqedonia nuk ka thëngjill. Qeveria blen pjata të arta, lugë të arta dhe pirunë të artë! Shkupi nuk ka ngrohje, Tetova nuk ka ujë, Qeveria blen pjata, lugë dhe pirunë të artë!”, pohoi Naum Stoilkovski, zëdhënës VMRO-DPMNE-së.
E vendimi i qeverisë për të ndarë 670 milionë denarë shtesë për tejkalim të krizës energjetike vjen një ditë pas kërkesës së komunave për ndihmë urgjente. Dje pasdite ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tregoi se Qeveria u propozon kompanive të cilat kanë licencë për furnizim me ngrohje qendrore, që dallimi mes çmimit aktual dhe atij real të mbulohet nga Buxheti i Qeverisë në lartësi prej 80%, ndërsa i bëri thirrje qytetit e Shkupit dhe komunave që t’i marrin përsipër 20% e tjera.
Krahas kësaj, as sot nuk janë ndalur akuzat mes partisë në pushtet LSDM dhe Qytetit të Shkupit për krizën e ngrohjes në kryeqytet.
“Në vend të masave konkrete për ndihmë ndaj shkupjanëve në kohë krize energjetike dhe krizë me ngrohjen në Qytetin e Shkupit, Danella Arsovska nuk ka ndërmarrë asgjë, e as nuk ka parashikuar asnjë denar nga buxheti për ndihmë ndaj qytetarëve“, thonë nga LSDM.
“Është e turpshme dhe e papërgjegjshme që gishti të drejtohet nga Qyteti i Shkupit duke e treguar Qytetin si kompetent dhe përgjegjës për të gjitha lëshimet e pushtetit qendror i cili 5 muaj nuk ka ndërmarrë asgjë dhe ndoshta shteti i vetëm i cili nuk ka masa për parandalim të krizës energjetike, përveç se i rriti çmimet e rrymës dhe ngrohjes duke goditur në xhepin e qytetarëve“, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Nga Qeveria dje informuan se do të subvencionojë çmimin e energjisë termike në mënyrë që qytetarët e Shkupit të mos paguajnë fatura më të larta.