Qyteti i vogël në Ukrainë që arriti të bllokojë ‘planet e mëdha të Rusisë’

Ishte një nga betejat më vendimtare të luftës deri më tani – një luftë dy-ditore për kontrollin e qytetit bujqësor të Voznesensk dhe urës së tij të rëndësishme strategjike.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, fitorja do t’u kishte mundësuar forcave ruse të shtriheshin më në perëndim përgjatë bregut të Detit të Zi drejt portit të madh të Odesa-s dhe një centrali të madh bërthamor.

Në vend të kësaj, trupat ukrainase, të mbështetura nga një ushtri vullnetarësh vendas, i dhanë një goditje dërrmuese planeve ruse, fillimisht duke hedhur në erë urën dhe më pas duke e detyruar ushtrinë pushtuese të tërhiqej, deri në 100 kilometra, në lindje.

“Është e vështirë të shpjegohet se si e bëmë këtë. Kjo është falë shpirtit luftarak të popullit tonë vendas dhe ushtrisë ukrainase”, tha kryetari 32-vjeçar i Voznesensk, Yevheni Velichko.

Por pothuajse tri javë pas asaj beteje, kryebashkiaku paralajmëroi se një tjetër sulm nga forcat ruse ishte ndoshta i afërt dhe se atyre që mbronin qytetin u mungonin armët për t’i ndaluar ata për herë të dytë.

“Ky është një vend kaq strategjik. Ne nuk po mbrojmë vetëm qytetin, por të gjithë territorin ‘pas tij’. Dhe ne nuk kemi armët e rënda që ka armiku ynë”, ka vënë në pah ai.

Ashtu si në shumë vija të frontit në Ukrainë, raketat antitank të furnizuara nga Britania e Madhe provuan të jenë vendimtare për të goditur armatën ruse në Voznesensk, duke e lënë qytetin të mbushur me deri në 30 tanke, makina të blinduara dhe madje edhe një helikopter.

“Vetëm falë këtyre armëve ne arritëm të mundim armikun tonë këtu. Dhe ne i falënderojmë partnerët tanë për mbështetjen e tyre. Por ne kemi nevojë për më shumë armë. Kolonat e armikut do të vazhdojnë të vijnë”, ka paralajmëruar Velichko.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *