Në Universitetin e Tetovës u shënua trevjetori i anëtarësimit të vendit tonë në NATO

“Dialogjet akademike me stafin dhe studentët e Universitetit të Tetovës” ishte tema e aktivitetit që u zhvillua në Universitetin tonë nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje u organizua me rastin e ditës së NATO-s dhe trevjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike. Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë pritën në takim ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Gjeneralin e Brigadës, Besnik Emini. Në këtë takim, përveç aktiviteteve që realizojnë institucionet tona u diskutua edhe për rëndësinë dhe rolin që ka NATO për sa i përket aspektit politik, sigurisë, paqes, stabilitetit, por edhe të zhvillimit ekonomik. Rektori i universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe profesorëve tha se, deri sa ne e shënojmë sot 3 vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, themi me gojën plotë se ky është një moment historik dhe me rëndësi jetike për vendin tonë. “Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar që të luaj një rol aktiv në integrimin euroatlantik të vendit tonë, përmes aktiviteteve arsimore dhe shkencore, si dhe bashkëpunimeve tona me institucione dhe organizata të tjera. Ne jemi krenarë që qëndrojmë këtu sot, si anëtar të komunitetit të NATO-s dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë. Anëtarësimi në NATO i ka sjellë përfitime të shumta Maqedonisë së Veriut, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në zhvillimin ekonomik. Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka qasje në aftësitë e mbrojtjes kolektive të aleancës, të cilat përfshijnë një sistem të fuqishëm të ndihmës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në rast të një sulmi ndaj ndonjë shteti anëtar”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *