Kupa e Mbretit: Barcelona për herë të tretë këtë sezon mund Real Madridin dhe fiton kupën

 

 

 

Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 3-2 ndaj Real Madridit në kuadër të finales së Kupës së Mbretit.

Barcelona fiton Kupën e Mbretit duke mundur rivalin historik, Real Madridin, në një finale spektakolare të luajtur në në “Estadio de La Cartuja” në Sevilla. Kjo është hera e tretë që dy ekipet u ndeshën mes tyre këtë sezon dhe të treja ndeshjet janë fituar nga katalanasit 0-4 në Madrid për La Liga, 5-2 në finalen e Superkupës së Spanjës, e cila u zhvillua në Arabinë Saudite dhe 3-2 në finalen e sotme për Kupën e Mbretit, pas kohës shtesë. Të dielën e ardhshme do të takohen sërish, në ndeshjen e kthimit për këtë sezon në La Liga.

Përsa i përket finales së sotme, goli i parë i takimit ka ardhur në minutën e 30-të, ku pas një topi të gjatë të marrë nga Cubarsi, Lamine Yamal asiston bukur për Pedrin, mesfushori dërgon topin në rrjetë me një goditje klasi në kufijtë e zonës së rreptësisë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për katalanasit.

Gjysma e dytë e pjesës së dytë ishte spektakël më vete ku u shënuan 4 gola. Kylian Mbappe ka barazuar shifrat 1-1 në minutën e 70-të, francezi i futur në fushën e lojës në pjesën e dytë ekzekutoi një goditje perfekte dënimi duke dërguar topin në rrjetë.

Në minutën e 77-të, Arda Guler kroson nga goditja e këndit, Aurelien Tchouaméni dërgon me kokë topin në rrjetë duke kaluar Realin në avantazh. Barcelona nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat në minutën e 85-të me Ferran Torres, i cili shënoi pasi mori një top të gjatë nga Lamine Yamal dhe përfitoi nga një dalje e gabuar e Thibaut Courtois.

Në minutën e fundit, Raphinha ka një kontakt brenda zonës me Raul Asenscio-n, arbitri fillimisht akordon penallti. Ndërhyn VAR, pas disa minutash tension, arbitri sheh vetë pamjet në ekran dhe anullon penalltinë e dhënë pak më parë dhe ndëshkon me karton të verdhë për simulim Raphinha-n. Koha e rregullt mbyllet përfundimisht 2-2. Ndeshja shkon në shtesën prej 30 minutash.

Në 15 minutat e para të shtesës nuk pati ndryshim të rezultatit, ndërkohë që në minutën e 115-të Barcelona do të gjente golin e avantazhit me Jules Kounde. Francezi shënoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme nga distanca. Përfundimisht, Barcelona fiton 3-2 dhe ngre Kupën e Mbretit për këtë sezon.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *