Klubi I Karatesë  FATI  – Tetovë, reagon për mos përfshirjen e sportistëve shqiptar

Reagim dinjitoz ndaj anashkalimit te plot të sportistëve shqiptarë nga vlerësimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, pa koment 22 maqedonas dhe 0 shqiptare.

Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, një fakt që nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ apo simbolik, por të reflektohet drejt dhe ndershmërisht në çdo segment të jetës publike – përfshirë sportin, një nga pasqyrat më të ndershme të përfaqësimit dhe bashkëjetesës në një shtet modern. Sportistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë qenë dhe mbeten kontribuues të pazëvendësueshëm të suksesit me reprezentacionin e Maqedonisë se Veriut në arenën ndërkombëtare. Nuk janë të paktë emrat që kanë ngritur flamurin shtetëror në skenat më prestigjioze të sportit ndërkombëtar:

• Shaban Trstena, kampion olimpik, një nga ikonat më të mëdha të sportit në vend.

• Enver Idrizi, fitues i Kupës së Botës në karate, legjendë ndërkombëtare.

• Berat Jakupi, kampion i katërfishtë evropian dhe medalist i shumëfishtë ndërkombëtar.

• Shaban Sejdiu, një tjetër medalist olimpik që ka shkruar histori në mundje. • Doan Osmani, kampion evropian në karate.

 • Jetmira Dervishi, refer me licencë evropiane, përfaqësues i denjë në garat ndërkombëtare.

• Besart Ibrahimi, golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit vendor.

• Artim Shaqiri, ish-reprezentues i shtetit për më shumë se një dekadë në futboll.

• Harun Isa, futbollist me karrierë të shquar brenda dhe jashtë vendit.

* Argjend Beqiri nje emër i madh ne futboll ku ka luajtur ne reprezentacion dhe shume ekipe te njohura ne vend dhe jashtë vendit

• Lulzim Vranezi, mundës me rezultate të larta dhe trajner i reprezentacionit – një nga më të suksesshmit në historinë e sportit vendor.

* Qatip Osmani një legjendë futboll si dhe trajner shume i suksesshëm ne futboll

Një rast që përforcon dhe aktualizon këtë padrejtësi është ai i trajnerit Arlind Huseini, një nga figurat më të suksesshme në sportet luftarake në vend. Si seleksionues i dy mandateve ne U21 dhe aktualisht drejtor sportiv i reprezentacionit të Maqedonisë në karate, z. Huseini ka fituar pesë medalje të ARTA evropiane me garuesit e tij te klubit Berat Jakupi dhe Doan Osmani. E megjithatë, ai – si shumë të tjerë – është anashkaluar padrejtësisht nga listat e mirënjohjeve shtetërore.

Mospërfshirja e këtyre emrave në listën e 22 nominimeve shtetërore për mirënjohje publike nuk është thjesht një harresë – është një pasqyrë e një qasjeje sistematike përjashtuese ndaj sportistëve shqiptarë. Kjo është thellësisht e padrejtë dhe fyese për të gjithë komunitetin shqiptar që, për dekada, ka kontribuar me nder, sakrificë dhe përkushtim për suksesin dhe imazhin ndërkombëtar të këtij shteti. Kjo nuk është thirrje për privilegj, por për barazi, drejtësi dhe meritokraci. Arritjet në sport nuk kanë etni – kanë vetëm punë, përkushtim dhe rezultate. Dhe ato meritojnë të vlerësohen në mënyrë të barabartë, pa paragjykime dhe pa kritere të dyfishta. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të korrigjuar këtë padrejtësi. Nuk ka bashkëjetesë të vërtetë pa njohje të ndershme. Dhe nuk ka shtet të drejtë pa respekt të barabartë për të gjithë qytetarët e tij.

 Thuhet në reagimin e klubit të Karatesë FATI – Tetovë

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *