Masakrimi i votës së mërgatës

Pastaj i dëgjon çjerrjet e tyre se si Albin Kurti po dëshiron qeverisje absolute. Po atë gjë po ia mundësoni pikërisht ju me sjelljet e juaja gjatë këtyre 22 vjetëve që nga përfundimi i luftës. Për shumë votues, Albin Kurti dhe Vetëvendosja do të jenë “e keqja e nevojshme”, sepse partitë e tjera ua kanë sjellë shpirtin te hundët dhe votuesit e shohin se s’ka çfarë të humbet sikur rasti t’i jepet Vetëvendosjes dhe partitë e tjera të ndëshkohen me votë

Zyrtarisht dje filloi fushata zgjedhore e partive politike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Në fakt, fushatat filluan që në ditën e parë kur Gjykata Kushtetuese e bëri të ditur pjesërisht vendimin e saj mbi jokushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Propaganda e cila po bëhet në këto zgjedhje është nga më të egrat deri më tani në Kosovën e pasluftës. Së paku unë po e perceptoj ashtu. Në shtatë studio televizive me frekuenca kombëtare, si dhe me transmetime live në rrjete sociale të debateve të tyre politike me analistë e zhurmues mercenarë politikë, dhunojnë popullin çdo natë të mundshme me futkotizmat e tyre shterpë dhe në shumë raste janë vetë avokatët e dreqit.

Mirëpo, ajo e cila bie në sy edhe më shumë në këto gara zgjedhore është dhunimi i cili po i bëhet të drejtës elementare kushtetuese për mundësimin e votimit të mërgatës. E kam cekur edhe në njërin nga shkrimet e fundit të Ditarit tim: ishte për çudi qasja publike e vetë kryetares së KQZ-së, znj.ValdeteDaka, e cila deklaronte se sa i komplikuar është votimi me anë të postës nga jashtë për mërgimtarët. Personi përgjegjës,që udhëheq një institucion të “pavarur”, që do të duhej të siguronte që procesi i votimit të thjeshtëzohet sa më shumë dhe t’i inkurajonte mërgimtarët ta shfrytëzonin të drejtën e tyre kushtetuese për votim nga jashtë, po e bënte të kundërtën, po i shkurajonteata për ta ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese, duke ua rikujtuar se sa i komplikuar është procesi me votën me postë.

Pas të gjitha ndodhive politike në Kosovë gjatë një viti kalendarik, edhe unë desha ta shfrytëzoj të drejtën time për votimin me postë. Në ditën kur aplikacioni u hodh në faqen zyrtare të KQZ-së unë e shkarkova atë, i mbusha të gjitha të dhënat siç kërkoheshin (kam plotësuar edhe aplikacione shumë më të komplikuara se kjo në jetë), i bashkëngjita edhe dokumentacionet e nevojshme, kopjen e letërnjoftimit tim të Kosovës, si dhe kopjen e pasaportës valide të Mbretërisë së Bashkuar. Me ta dërguar këtë e-mail në të tria adresat e e-maliave zyrtarë të KQZ-së, pranova tri e-maile të cilat e vërtetonin pranimin e e-mailit nga ana ime. Mirë deri këtu, thashë me vete. Hapi i radhës ishte pritja për telefonatën e shpifur të KQZ-së për verifikimin e identitetit tim. Nga dëshmitë e shumta të miqve në Facebook, të cilët shkruanin në statuset e tyre se kishin pranuar thirrjen nga KQZ-ja, ajo që binte në sy ishte se ajo thirrje mund të ndodhte në mëngjes, në mesditë apo në mbrëmje. Nuk kishte aty ndonjë rregull konform, si p.sh. gjatë orëve të punës. Sidoqoftë, për shkak të gjumit dhe orarit tim të çrregulluar në raport me gjumin, kisha frikë se atë thirrje telefonike edhe mund ta humbisja, në pamundësi që ta dëgjoja, e ajo gjë sipas rregullave të shpifura të KQZ-së do të më eliminonte nga lista e votuesve me postë. Por, thirrja e shpifur telefonike as që ndodhi.

KQZ-ja, në ndërkohë, kishte deklaruar se edhe ata të cilët nuk janë votuar e të cilëve u figurojnë emrat në listat e votuesve me postë do ta kenë të drejtën e votimit. Edhe publikimi i këtyre listave u bë me një ditë vonesë nga ana e KQZ-së, pa asnjë sqarim e asnjë kërkimfalje apo shtyrje të afatit të votave nga jashtë për një ditë, pasi që kjo vonesë ishte kryekëput për faj të KQZ-së. Pastaj, pse do të duhej t’i ngushtohej koha e dritares së dërgesës së votës, edhe ashtu tashmë dritare mjaft e ngushtë kohore!

U publikua edhe kjo listë tashmë. Po e kërkoja emrin tim në radhitjen alfabetike, renditur me mbiemrat e votuesve.Duke qenë se mbiemri im është me shkronjën “Rr”, emri im do të gjendej diku atje nga fundi i listës. Mirëpo, ai nuk figuronte fare. Shikova disa herë në mënyrë që të sigurohesha. Dëshpëruese, emri im nuk po figuronte aty.

Nga frustrimi e shkrova edhe një status, ku shkurt e shqip e shava KQZ-në. Me sugjerimin e një miku hyra përsëri në faqen zyrtare të KQZ-së dhe aty me numrin tim personal mund ta kërkoja vendvotimin tim në Kosovë dhe voila! Vendvotimi im ishte vendvotimi n°111E, në shkollën fillore “IsmailQemali” në Prishtinë. Kjo është më se e saktë, por absurdi është se edhe pse i regjistruar për të drejtë votimi, kjo e drejtë më mohohej. OK, do të shkoja edhe një hap më tutje, do të ankohesha në PZAP. Gjë të cilën e bëra. I bashkëngjita të gjitha dëshmitë si dhe ankesën time.

Më vonë, në orët e pasdites, lexova një artikull të gazetës KOHA, ku PZAP-i kishte deklaruar se ankesat i pranon deri në orën 18:00, jo ankesat elektronike, por ankesat e dërguara fizikisht në zyrat e veta. E, kjo po që ishte goditja e fundit të cilën e mora e pas së cilës shava me aq zë sa pata, gjë e cila më ndodh shumë, shumë rrallë, pasi mendoj se jam mjaft i përmbajtur dhe e kam veten nën kontroll. Por, kjo ishte me të vërtetë diçka që ta nënçmonte inteligjencën, dinjitetin dhe integritetin. Po bëhej një masakër ndaj votuesve nga mërgata.

Lexova me qindra ankesa të njëjta dhe të ngjashme nëpër afishimet e miqve nëpër muret e tyre të Facebookut. Kishte edhe nga ata të cilët tashmë e kishin nisur votën e tyre nëpërmjet DHL-it dhe shërbimit të tyre Express, i cili po ashtu nuk është aspak i lirë. Nga Evropa diku 60 euro për dërgesën e një zarfi. Edhe këto shërbime për shkak të COVID-19 afektohen gjatë transitit nga shtetet e ndryshme dhe ligjet e tyre, qoftë edhe mbi karantinimin e pakove postale 24-48 orë, gjë që do të mund ta afektonte arritjen e këtyre zarfeve në kohën e paraparë nga KQZ-ja.

Ajo e cila më brengos edhe më shumë është heshtja e partive politike ndaj kësaj dukurie, përjashto këtu Vetëvendosjen.

E kemi kuptuar se për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve partive politike nuk u konvenon kjo vota e mërgatës, pasi tashmë dihet se ku do të shkonte pjesa më e madhe e saj. Mirëpo, kjo nuk i amniston ata për mosreagim të një drejte themelore kushtetuese të qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në mërgatë. Pastaj, i dëgjon çjerrjet e tyre se si Albin Kurti po dëshiron qeverisje absolute. Po atë gjë po ia mundësoni pikërisht ju me sjelljet e juaja gjatë këtyre 22 vjetëve që nga përfundimi i luftës. Për shumë votues, Albin Kurti dhe Vetëvendosja do të jenë “e keqja e nevojshme”, sepse partitë e tjera ua kanë sjellë shpirtinte hundët dhe votuesit e shohin se s’ka çfarë të humbet sikur rasti t’i jepet Vetëvendosjes dhe partitë e tjera të ndëshkohen me votë.

Nuk dëshiroj shumë që të hyj në interpretim të sondazheve të shumta, por edhe aty jemi dëshmitarë se cili është disponimi në popull për votimet e parakohshme të cilat do të mbahen me datën 14 shkurt.

Ditarin tim do të dëshiroja ta përmbyllja me një kabllogram më pozitiv mbi Kosovën. Tashmë të gjithë e keni kuptuar se në festivalin prestigjioz të filmit “SUNDANCE FESTIVAL” në SHBA, filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit dhe me rolet kryesore nga Yllka Gashi, KaonaSylejmani, AuritaAgushi, Çun Lajçi, Ardiana Matoshi etj., u shpërblye me tri çmimet më prestigjioze dhe e shënoi një rekord të ri nëkëtë festival të rëndësishëm. Kjo edhe njëherë na dëshmon potencialin dhe talentet që ky vend i vogël e me popullatë të vogël i ka në gjirin e vet. Por, e mbrapshta e vendit mbeten politikanët, mbetet papërgjegjësia e instaluar deri në asht, mbetet mosmbështetjaadekuate për artin dhe sportistët tanë, të cilët u dëshmuan sikur ambasadorët tanë më të mirë të shtetit tonë të ri. Sa më parë do t’ua bashkëngjisim edhe klasën e përgjegjshme politike.Unë mbes me optimizmin se ne do të mund ta ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë dhe të suksesshme, ku fëmijëve tanë do të kemi çfarë t’u ofrojmë dhe gjithashtu të presim rezultate pozitive nga angazhimet dhe talenti i tyre,gjë që në popullin tonë vital nuk mungoi asnjëherë.

Është koha e fundit që të kuptojmë se çdo veprim ose mosveprim i duhur i yni tash do të reflektojë në jetët e fëmijëve tanë në Kosovë, nesër dhe në të ardhmen.

Ne mund ta mbjellim një pemë dhe të mos arrijmë t’i shijojmë frutat e saj, por sigurisht që fëmijët dhe pasardhësit tanë do të kenë mundësinë t’i shijojnë ato, si dhe të freskohen nën hijen e atyre drurëve të cilët ne i mbjellim sot.

Prandaj, t’i mbjellim farat e shpresës për hir të fëmijëve dhe pasardhësve tonë, t’ia japim Kosovës të mbarën e merituar për të cilën gjë ajo lëngon aq shumë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *