Të ishte vetëm Jansha…

Opinion nga Arsim Zekolli

E gjithë hutia rreth (mos)egzistimit të (jo) pejper të Janez Janshës do mund të sillej në një pasus të ndonjë kolumne përgojuese, poqese paralelisht me publikimin e saj nuk do të liferohej edhe informata për deklaratat e Borut Pahor rreth mundësisë për “shpërbërje/ndarje paqësore” të Bosnjes nga  Hercegovina në drejtim të Serbisë”. Bazuar në informaten e dytë, të dokumendtuar dhe  vërtetuar, është faktori i cili spekulimin e parë e bënë relevant dhe kredibil. Bisedat e Pahorit janë motive për shkak të cilave  mund të besohet se temat për rishikim dhe ridefinim të kufijve në regjionin e Ballkanit megjithate janë tema mendimesh dhe bisedimesh të qendrave të fuqishme, europiane dhe transatlantike.  Poenta bie mbi faktin se e gjithë historia për këtë aferë nuk mund të sillet në kuadër të  “ krizave të kontrolluara” intervenuese për gjuajtjen e fajit mbi Janshen, duke e heshtur rolin e Pahorit dhe peshën e “hulumtimeve” të tij. Pahori, jo Jansha, është shkaku që iu jep të drejtë dëshmive se tema për rishikime dhe ridefinime të kufijve akoma është e pranishme dhe aktuale në të gjithë spektrin politiko-ideologjik, përkundër pohimeve se ajo është e kufizuar rreth të djathtes ekstreme ose klasike. Dallimi është ekskluzivisht në qasjen e mëndafshtë dhe gojëmbël të majtistëve (Pahor, antarë i LKJ) dhe  zhurmes maqo-paraduese të djathtistëve (Jansha, anëtar i LKJ).

Heshtja e zhurmshme/zëshme

Viktima e parë e pafajshme  e kësaj aleance/koalicioni  Alte Slovenische Kunst Des Kommunismus është gjithsesi vetë Sllovenia e cila, në kryesimin e saj me BE do të hyjë me një bagazh jashtëzakonisht të rëndë, skepticizëm dhe mosbesim, të brendshëm dhe të jashtëm.  Ky lundrim gjashtëmujor nëpër thellësitë europiane, me Trigllavin mbi supe dhe me Ballkan – shtanga  nëpër këmbë, është megjithate më  lehtë ta mundë , në krahasim me imazhin e lëkundur të Sllovenisë si konseliere transatlantik i besueshëm i BE dhe SHBA për interpretimin e Ballkanit ndërsa në të njejten kohë  edhe “kushuri” i respektuar dhe i simpatizuar i BE në të cilin Ballkani gjithmonë mund të mbështetej. Reagimet e Lubjanës politike dhe mediatike lënë hapësirë të mjaftueshme për një besim solid se ky imazh dhe rol i Sllovenisë mund të ruhet, duke e tejkaluar ndjenjen e keqardhjes si epizodë e pa fat në një serial  megjithate të suksesshëm, të rrezikuar nga bredhjet individuale, por jo edhe konceptuale të dy aktorëve, Pahor dhe Jansha. Sllovenia është shumë e rëndësishme për qasjen e BE dhe SHBA ndaj Ballkanit por edhe më e rëndësishme është për qasjen e Ballkanit ndaj Perëndimit.  Për këtë arsye, do të ishte e dëmshme për të gjitha palët po qe se lejohet kjo aferë e pa fat të shkaktojë dëme gjatë kryesimit të saj me Bashkimin Europian.

Vetë afera  publikohet në një interregnum  kohor delikat   të kalimit të stafetës së  demokracisë  liberale nga duart e Angela Merkel, si rojtar i saj besnik në kohën e trampizmit, në duart e Xho Bajden, si rilindës dhe flamurtar i transatlantizmit. Reaksioni i ashpër dhe i shpejtë i SHBA për ti dhënë mbështetje B. dhe Hercegovines,  e hartuar dhe e komunikuar vetëm disa orë pas shpërthimit të skandalit, nuk lë hapësirë për dilemma për pozicionet e Vashingtonit rreth çështjes së suverenitetit dhe integritetit në regjion. Edhe pse edhe me këtë rast duhet rikujtuar intervenimin e sinçertë por të vonuar të Xhejms Bejker për shpëtimin e Jugosllavisë, pasiqë flamujt e luftes tanimë valviteshin ndërsa boritë zhurmonin frikshëm.

Kjo nuk mund të thuhet edhe për heshtjen e turpshme të Mishel, Borel, Ursula fon der Lajen, të cilët preferuan të kufizohen në  shpupurishjen e tyre detektive – opportune nëpër letërologjinë e tyre, duke kërkuar nonpejperin. Për fat të keq, Berlini nuk ishte  shumë i angazhuar për të akuzuar dhe për të prerë deri në rrënjë të gjitha dykuptimësitë e aferës. Është indikative por e pritur që Parisi zyrtar të konsiderojë të arsyeshme të reagojë me demant ndaj pohimeve për “neutralitetin” e tij destruktiv ndaj mundësisë për ndryshimin e kufijve. Kësisoi ata u vendosën –  me heshtje zhurmuese – krahë për krahu me Janez Jansha, Viktor Orban, Kaqinski, Kurc, si trampistët e fundit të kontinentit. Gjithsesi, për dallim nga distancimi i qartë nga projektet avantureske të Janshes, Pahorit, Orbanit, Kaqinskit dhe të tjerëve, lidershipi i BE do detyrohet – personalisht, jo nëpërmjet komunikatave – qartë dhe pa ekuivoke të deklarohet rreth pozicioneve të tyre lidhur me çështjen e mosndryshimit të kufijve të regjionit. Kjo posaçërisht edhe shkaku që simpatizuesi i Putinit nga Madridi, diplomati i parë i BE, Zhozef Borel gjithnjë e më shumë po dëshmohet si një mbindërtim edhe më i vrazhdë, më arrogant dhe i pa edukatë se sa paraardhësit e tij, Mogerini dhe Han. Deklarata e tij e cila kurrë nuk u demantua se “Serbisë duhet diçka t’i jepet” në kontestin me Kosoven,  është, sipas një logjike të tregtisë me shumicë të merkantilizmit gjeopolitik, jo më pak skandaloze se sa deklaratat e Pahor dhe pejperët e Janshës. Ndërsa sipas paraqitjes së saj funksionale, nuk është më pak shqetësuese. 

Heshtja  selektive

Afera non-pejper, sipas konkretizimit të qartë dhe publik  të ideve dhe propozuesve  është  skandaloze por është larg asaj të jetë  e vetmuar në mendimet  dominante rreth regjionit. Shumë ngjarje dhe marrëdhënie të BE (por edhe SHBA) ndaj regjionit kalojnë në mënyrë diskrete të hetuara por edhe në mënyrë misterioze të heshtura. Në shkrimet e mëparshme kemi tërhjekë vërejtjen dhe vëmendjen për heshtjen e habitshme të Lublanes, Zagrebit, Varshavës, në raport me kontestin maqedono-bullgar, për dallim nga pakënaqësitë e shprehura zëshëm të Pragës dhe Bratisllavës. Dukuri  që më vonë,  kjo heshtje selektive të zhytet në votimin e rezolutave për refuzimin e amandmaneve me të cilat dënohet politika e Sofisë ndaj Maqedonisë. Edhe më shumë habitë heshtja selektive e BE dhe e vendeve anëtare ndaj agresionit trivektorial të Serbisë në regjion, me ndihmen e partnerëve nga dhe jashtë BE dhe NATO. Në të vërtetë,  në qasjen ndaj Maqedonisë, Shqipërisë (të dyja vende anëtare të NATO-s) dhe Kosovës, Beogradi zyrtar zhvillon marrëdhënie të afërta dhe koordinim me Greqinë dhe Qipron. Në raport me Malin e Zi, edhe ky vend anëtar i NATO, Serbia mbështetet te shërbimet e Rusisë. Dhe në fund, raportet ndaj Bosnes dhe Hercegovinës, të bazuara mbi  bashkëpunimin e deklaruar publikisht në mes të Beogradit, Ankarës dhe Moskës. Me këtë rast, figura  e dyshimtë në këtë strategji trivektoriale nuk është Beogradi por NATO e Brukselit dhe vendet e nominuara anëtare dhe partnerët aktiv të  jo-NATO-s, për sabotimin, minimin dhe provokimin e fqinjëve anëtar të NATO-s. Kjo dukuri patjetër që do të parashtron  pyetjen, jo kush është busulla e NATO por ndaj cilës fuqi magnetike orientohen vendet e saj anëtare, posaçërisht në krahun e saj jugor?

Te ne, reagimet ndaj publikimeve dramatike nga Sllovenia dhe Bosna, u fokusuan në një fshikullim të përbashkët të mizave nga kokat e goditura dhe në kalimin e fajita te MPJ. Me një mbështetje të fuqishme mediatike të mediumeve të partizuara, por me një bazë të hollë nga realiteti i përgjegjësive. MPJ mund të  fajësohet për heshtjen dhe mungesen e komentimit të zhvillimeve por duke pasë parasysh faktin që për dallim të lidhjes së drejtpërdrejtë të Pahorit me kryesinë boshnjake, Maqedonia është përmendur vetëm në kontekst të përcjelljes mediatike të implikimit tonë. Thënë më thjeshtë, drama rreth nonpejperëve dhe propozimeve  është zhvilluar në qarqet politike dhe më pak (mbase fare)  në kanalet diplomatike. Fundja, sikur  edhe vetë  politikanët slloven tregojnë, propozimi i Janshës paraqitur Brukselit është kontrabanduar  nëpërmjet kanaleve të tërthorta –anësore dhe jo diplomatike.

Arsye për hudhjen e këtillë të koordinuar të patateve të nxehta mbi Bujar Osmanin është bërë pjesërisht për shkak të një pizme të ndarë ndaj partisë së tij por kryesisht me qëllim që të kamuflohet përfshirja e drejtpërdrejtë e SDSM dhe VMRO në bisedimet me Pahor, Jansha, Orban nëpërmjet Stevo Pendarovskit, Zoran Zaevit dhe Kristian Mickovskit. Kërkesat për të raportuar dhe për tu rrëfyer nga ministri Osmani nuk mund të konsiderohen të dyshimta ose cinike, posaçërisht në raport me takimin me Pahor por gjithsesi me kusht që paraprakisht të kërkohet një deklarim i çartë dhe publik i Pendarovskit, Zaevit dhe  Mickovskit, a janë konsultuar ose informuar prej bashkëbiseduesve të përmendur? Cilat kanë qenë reagimet e tyre dhe pse nuk e kanë informuar me kohë opinionin tonë? Dhe a thua injorimi i liderëve shqiptar (Ahmeti, Sela) dhe takimet me liderët maqedonas tregon keqpërdorimin dyfytyrësh të protokolit nga ana e përfaqësuesve shtetëror dhe qeveritar perëndimor gjatë  vizitave të tyre në Shkup?  Unë besoj se treshja e përmendur, duke belbëzuar, do të demantojë se “kishte diçka të këtillë”, por heshtja e tyre katatonike –  jo e Osmanit – paraprakisht na jep shumë arsye për të dyshuar në kredibilitetin e deklaratave të këtilla. Posaçërisht rreth bisedimeve të Mickovskit dhe Janshës në raport me “lobimin aktiv për interesat shtetërore të Maqedonisë”, sikur theksohet në komunikaten  e VMRO – DPMNE të 17 janarit të këtij viti. Tanimë është e çartë cilat janë frytet e “lobimit për shtetin” që e ka bërë ai. Edhe më mirë e dëgjojmë heshtjen e partnerit të tij, Zaevit.

Telalli tabu

Temat për vizatimin e vijave të reja kufitare nuk janë edhe aq të jashtëzakonshme dhe të panjohura për ne, posaqërisht në raport me  rikomponimet e brendshme kufitare. Për ilustrim, duhet kujtuar tendencat e bardëve dhe të mediumeve të afërta me partitë politike të maqedonasve dhe çarqeve beogradase që të imponojnë temën e federalizimit në baza etnike, por pa reagimin e provokuar, të dëshiruar – të pritur nga ana e etnikumit tjetër më të madh. Duhet rikujtuar gjithashtu se njëri prej të besuarëve më të mëdhej të Zaevit është një ish premier i cili edhe sot e kësaj dite nuk heziton dhe nuk ka turp të  pranojë se angazhohet për ndarjen e vendit. Prap, duhet kthyer në kujtesë se Mickovski dhe rrethi i tij më i ngushtë janë pjesë të grupacionit EPP – renegatë të  idesë për ndryshimin e kufijve në regjion – përfshirë këtu edhe kufijtë e vendit të tij. Pastaj,  mos të harrojmë  se, në fund të fundit, me të gjitha grindjet, qartjet, çjerrjet dhe betimet, vetë Pendarovski, Zaevi dhe Mickovski janë politikanët të cilët ende, me kryneqësi refuzojnë  debate shtetërore-politike në Kuvend për kontestin me Bullgarinë. Të parët janë ata  të cilët këtë faj (nëpërmjet mediumeve të kontrolluara prej tyre) e  gjuajnë mbi diplomacinë si organ ekzekutiv të bllokadës së tyre për harmonizimin edhe ndërtimin e  një qëndrimi shtetëror ndaj problemit më të madh të politikës sonë të jashtme. Gjithsesi, shumë paradoksale! E rastësishme, kursesi! Për këtë arsye, çështja nuk është për kë punon nëpunësi Osmani, por për kë në të vërtetë po punojnë “shefat” e tij; Pendarovski, Zaevi dhe Mickovski!?

Shikuar nga aspekti poyitivist, epizoda me Janshen dhe Pahorin, megjithate është definim klasik i pohimeve të Lord Akton se “Secila fshehtësi degjeneron. Asgjë nuk është e sigurtë derisa nuk ekspozohet për diskutim dhe në publik”.  Dyshja e Lublanës megjithate vetëm sa e lajmëroi një tabu e cila çarkullon gjatë kohë nëpër qendrat europiane, duke na sjellë para sysh dyfytyrësinë dhe cinizmin e deklarimit protokolar të  “përcaktimit, mbështetjes, brengosjes”. Floskula të pluhurosura tashmë. Ballkani më nuk iu beson demanteve të përlotura! ©DW

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *