BE akuzon Lukashenkon për abuzim me emigrantët

Komisioni Europian ka akuzuar udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë  se i ka premtuar emigrantëve hyrjen në BE, si pjesë e një “qasjeje çnjerëzore, të stilit gangster”. Të paktën 2,000 emigrantë ndodhen momentalisht  në kufirin  Bjellorusi- Poloni, shkruan BBC

“Pas mbërritjes,  ata po shtyhen në kufi me njëri-tjetrin dhe po përpiqen të futen ilegalisht në Bashkimin Europian”, tha zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano. Udhëheqësi i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ka mohuar akuzat.

Anëtarët e BE-së dhe NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia kanë konstatuar një rritje të numrit të emigrantëve që po përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e tyre nga Bjellorusia gjatë muajve të fundit. Shumë prej tyre janë të rinj, por midis tyre ka  gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, raporton abcnews.al

Emigrantët kanë treguar sesi autoritetet bjelloruse sekuestruan telefonat e tyre dhe i shtynë drejt gardhit kufitar. Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa njerëz kanë humbur jetën. Polonia ka dislokuar trupa shtesë pasi turmat e dëshpëruara u përpoqën të prisnin një gardh me tela të hënën. Roja kufitare thanë se 300 prej tyre kishin tentuar të kalonin ilegalisht.

Qeveria paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm “të armatosur” në kufirin e saj me Bjellorusinë, nga frika se fqinji i saj mund të përpiqet të provokojë një incident. Kreu i departamentit të sigurisë kombëtare të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se emigrantët ishin nën kontrollin e njësive të armatosura bjelloruse. “Bjellorusia dëshiron të shkaktojë një incident të madh, mundësisht me të shtëna dhe viktima,” tha  zëvendësministri i Jashtëm Piotr Wawrzyk.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *