Zgjedhje të parakohëshme parlamentare sa më parë

Nga Agron Shaqiri

Duke filluar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, opozita në Maqedoninë e Veriut, si ajo maqedonase, poashtu edhe ajo shqiptare me ngulm po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkaq mazhoranca LSDM-BDI poashtu me ngulm po e refuzojnë një kërkesë të tillë. Për hir të së vërtetës, rol të rëndësishmëm në këtë kërkesë të opozitët ka pikërisht subjekti politik LSDM dhe ish lideri i saj (ish kryeministër i vendit), Zoran Zaev, të cilët zgjedhjet lokale dhe veçanërisht zgjedhjet në Qytetin e Shkupit i kthyen në votëbesim për Qeverinë dhe Zoran Zaevin. Zatem, Zoran Zaev dhe LSDM premtimin për dorëheqje në rast të humbjes në zgjedhjet lokale ( që nënkuptonte dorëheqje të Qeverisë), e reduktuan në dorëheqje vetëm të kryeministrit, pra vetëm në dorëheqje të Zoran Zaevit. Më tej vazhdoi operacioni special i famshëm “Kastrioti”, gjoja për të shpëtuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, e që ishte kryekëput për të shpëtuar qeverinë LSDM-BDI, e cila pastaj “u kurorëzua” me zgjerim të koalicionit qeveritar me partinë satelite të pushteteve – Alternativën. I gjithë ky inskenim u bë me pretendimin se Qeveria ka legjitimitet të plotë, dhe se gjoja është duke respektuar verdiktin e popullit, ama legjitimiteti matet me mbështetjen dhe besimin publik të qytetarëve, mbështetje kjo që sipas të gjitha anketave ishte dhe është në rënie të lirë, kjo që po them u tregua me humbjen e LSDM në rang shtetëror, edhe me disfatën që përjetoi BDI në Tetovë dhe Gostivar.

Në kushte normale është legjitime që opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme, dhe mazhuranca të refuzojë një kërkesë të tilla, pra në kushte normale është legjitime që aktorët politikë të zgjedhin kohën se kur është e nevojshme për vendin që të mbahen zgjedhje. Poashtu është normale që mazhoranca përmes zgjedhjeve, të tentojë rikthimin e rejtingut të humbur, duke ndërmarrë masa legjitime, por edhe gjysmë legjitime, siç janë rritja e pensioneve, rritja e pagës minimale (pa planifikuar rregullimin e pagave të tjera), përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, masa këto mazhoranca mendon se sadokudo do të zbusë paaftësisë e tyre për qeverisje, apo edhe tentativat e kota, gjoja për të hequr veton bullgare. Ndërkaq ajo që po na brengos më shumë është se kjo qeveri ka dëshmuar se nuk është e aftë dhe nuk ka asnjë plan se si të detyrojë Bullgarinë që të heq veton për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Pra me një fjalë kjo qeveria nuk e meriton që të jetë në pushtet, andaj, zgjedhjet tani janë zgjidhje e vetme për situatën e krijuar në vend.

E keqja më e madhe është se kjo qeveri nuk po e sheh se e ka humbur legjitimitetin për shkak të braktisjes së vlerave dhe parimeve që e sollën atë në pushtet, dhe tani po përdor metoda të njëjta jolegjitime, metoda këto që dikur i kritikonte ashpër. Kjo po dëshmohet edhe në përgjigjen e qeverisë ndaj bllokadës së Kuvendit të nisur nga opozita. Ajo thotë se do të gjejnë mënyra që Kuvendi të funksionojë. Që në ditët e para mazhoranca me arrogancën e saj po lë të nënkuptohet se kjo do të jetë me forcë, e jo me dialog politik. Dhe pikërisht dialogu politik, gjegjësisht mungesa e tij, ishte një nga kërkesë kyçe gjatë revolucionit laraman, i cila përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe i dha fund bojkotit të Kuvendit nga LSDM-ja. Për kujtesë, mungesa e dialogut politik atëherë e sot është identifikuar si problem në raportet e BE-së. Opozita e atëhershme dhe mazhoranca aktuale (LSDM-ja, por edhe pjesa tjetër e pushtetit të atëhershëm, por edhe pushtet i tanishmën BDI) harruan se cila ishte kërkesa kryesore e tyre. Edhe atëherë edhe tani, dialogu politik është përgjegjësia më e madhe e atyre që kanë pushtet më të madh, e kjo është Qeveria.

Kjo qeverisje nuk e anashkaloi vetëm këtë element, ajo është orientuar edhe të drejtim të futjes në harresë të lirisë së mediave, që dikur paraqiste shtyllën e dytë të kërkesave të tyre. Qeveria, në procedurë parlamentare, ka paraqitur një ligj që propozon futjen e një “delikti verbal” – që nënkupton dënim për shprehjen e mendimit. Përndjekja e gazetarëve, si duket është rikthyer përsëri, këto ditë një gazetare për një tekst të shkruar ishte ftuar në bisedë informative në polici, poashtu edhe presionet ndaj gazetarit Goran Momirovski, i cili ka një sërë kallëzimesh të dyshimta penale. Poashtu vlen të theksohet se Qeveria ka njoftuar se do të kërkojë edhe heqjen e ndalesës për fushata qeveritare nëpër media, e cila, nëse ju kujtohet, ishte vendosur me kërkesë të LSDM-së, për shkak të ndikimit që qeveria kishte në media.

Gjithashtu këtu vlen të theksohet se edhe nëse marrim datë për negociata këtë qershor, kjo do të shtyejë edhe më tej ngërçin, pasi kërkesat nga Bullgaria, që në thelb janë kërkesa të ndjeshme, do të tejzgjaten dhe e kjo do ta thellojë edhe më tej krizën politike, të cilën do tentojë ta shfrytëzojë edhe partneri tjetër i koalicionit (BDI) si marketing politik. Përveç këtyre problematikave të ngritura duhet potencuar se vendi është edhe në një krizë të thellë energjetike, krizë ekonomike, kemi një gjendje të pasigurt shëndetësore dhe ikjen masive të trurit të ri dhe fuqisë punëtore. Kjo qeveri ka zhytur vendin në borxhe të reja dhe të papërballueshme, për të cilat dikur (më 24 dhjetor 2012), LSDM-ja opozitare protestonte për huamarrje, nëse më kujtohet mirë, bëhej fjalë për 250 milionë euro, kurse tani, po ajo LSDM, si qeveri na ka futur në një borxh që kap shifrën 900 milionë euro në FMN, poashtu ka planifikuar edhe emetim të eurobondeve prej disa qindra milionë eurosh.

Qeveria tani po thotë se opozita, si ajo shqiptare, poashtu edhe ajo maqedonase, është destruktive dhe e papërgjegjshme, sepse në kohë krize bllokon Kuvendin dhe organizon protesta. Po unë do të thoja se përkundrazi, opozita do të ishte destruktive dhe e papërgjegjshme nëse në kushtet e krizës (me të cilën kjo Qeveri nuk merret, apo planifikon ndonjë zgjidhje që do të të jenë katastrofike për vendin) ajo nuk ofron dialog politik që përfshin edhe marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme në cilët qytetarë do të vendosin në cilin drejtim do të lëvizë Maqedonia e Veriut dhe kush do ta udhëheqë vendin në atë drejtim.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *